FFK nikoqire e turneut ndërkombëtar “Moveup Europe Cup 2026”

- Bota Sot

FFK nikoqire e turneut ndërkombëtar “Moveup Europe Cup 2026”

Për tri ditë radhazi Federata e Futbollit e Kosovës ishte nikoqire e turneut ndërkombëtar “Moveup Europe Cup”.

Ky aktivitet sportiv promovon përfshirjen, shëndetin dhe aktivitetin fizik për grupmosha specifike.

Ky turne u organizua në kuadër të projektit evropian Erasmus “Moveup”, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e FFK-së.

Në këtë edicion morën pjesë ekipe nga vende të ndryshme evropiane, përfshirë: Federatën e Futbollit të Rumanisë, Corporate Games nga Rumania e Margerita Sports nga Italia.

Gjatë këtyre tri ditëve sa u zhvillua ky aktivitet, pjesëmarrësit patën mundësinë të garojnë në një atmosferë miqësore dhe motivuese, duke ndarë përvoja dhe duke forcuar lidhjet mes tyre përmes sportit.

Qëllimi kryesor i projektit “Moveup” është të promovojë pjesëmarrjen aktive në sport për meshkujt mbi moshën 50 vjeçare, femrat mbi moshën 40 vjeçare si dhe në mënyrë të veçantë për personat që jetojnë me diabet tip 2 dhe hipertension.

Ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e aktivitetit fizik si një mjet efektiv për përmirësimin e shëndetit dhe cilësisë së jetës, duke ofruar një mundësi për aktivitet sportiv të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë pjesëmarrësit.

Organizimi i këtij turneu në Prishtinë dëshmon përkushtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mbështetur iniciativa që tejkalojnë dimensionin garues të sportit, duke e përdorur atë si mjet për mirëqenie, integrim social dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

“Moveup Europe Cup 2026” u vlerësua si një sukses i madh organizativ dhe sportiv, duke lënë hapësirë për aktivitete të mëtejshme dhe edicione të ardhshme edhe më gjithëpërfshirëse.



Read it all at Bota Sot