Ranieri shpjegon largimin nga Roma

- Bota Sot

Ranieri shpjegon largimin nga Roma

“Ndërprerja e marrëdhënies si këshilltar i lartë ka ardhur si pasojë e një vendimi të njëanshëm të klubit”.

Klaudio Ranieri saktëson në një deklaratë për ANSA mënyrën e largimit të tij nga Roma, pasi ka marrë parasysh komunikatën e klubit “për detyrë transparence, qartësie në veprimet e mia, besnikërie ndaj së vërtetës së fakteve dhe dashurie për fanellën që për mua është si një lëkurë e dytë”.

Ranieri ka dashur njëkohësisht të “falënderojë familjen Friedkin, ekipin, punonjësit dhe gjithë popullin verdhekuq për dashurinë e madhe të treguar gjatë viteve, gjithmonë të kthyer plotësisht. Forca Roma gjithmonë”, përfundon ai.A do të shkojë Ranieri te Kombëtarja?

Edhe për mirënjohje ndaj ngjyrave verdhekuqe, në verën e 2025 Ranieri kishte refuzuar propozimin e Kombëtares për t’u bërë trajner.

Do të ishte kurorëzimi i një karriere, por edhe një rrezik i madh duke qenë se do të zëvendësonte Spaletin në një moment krize dhe me kualifikimin për Botëror në pikëpyetje.

Një vit më vonë, me “axurrët” të eliminuar dhe në pritje të një cikli të ri, Ranieri mund të rikthehet si ide konkrete në Koverçiano.

Si trajner? E vështirë, pasi pas sezonit 2024/ 25 te Roma, 74-vjeçari e konsideronte të mbyllur karrierën në pankinë.

Më shumë një rol si drejtor teknik ose mbikëqyrës i projektit të ri të Kombëtares mund ta tërhiqte ish-drejtuesin e Romës.

Çfarë tha Gasperini për Ranierin?

Largimi i ish-këshilltarit të lartë, me të cilin Gasperini kishte hyrë në përplasje, u diskutua edhe në konferencën për shtyp para Bolonja-Roma.

“Komunikata tregon dy gjëra: besimin që nuk më ka munguar kurrë nga klubi që në ditën e parë dhe se Roma është mbi të gjitha.

Çfarë më ka ardhur keq nga fjalët e Ranierit? Që nuk kam pasur kurrë ndjesinë e asaj që ai ka deklaruar, të kësaj situate të rëndë, jam habitur shumë”, tha trajneri i Romës.

“Unë nuk kam bërë asgjë.

Mos më vendosni në të njëjtin nivel, nuk kam bërë asgjë kundër askujt. Në Trigoria duhet të bëhet futboll dhe shpresoj të bëhet. Unë kërkoj vetëm këtë, jam jashtë situatave të tjera dhe nuk flas për to. Mjaft.

Të gjitha pjesët e tjera këtu janë në nivel: nga stadiumi gjithmonë i mbushur te publiku i pasionuar.

Tani kthehuni edhe ju të flisni për futbollin, nuk di si ta them më qartë. Më kanë përfshirë, nuk dua të di më asgjë”, shtoi ai.

Si i dha Roma lamtumirën Ranierit?

“AS Roma njofton se marrëdhënia me Klaudio Ranierin ka përfunduar. Klubi dëshiron ta falënderojë Klaudion për kontributin e tij të rëndësishëm në Romë.

Ai e drejtoi skuadrën në një moment shumë të vështirë dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për përpjekjet e tij.

Duke parë përpara, drejtimi ynë është i qartë. Klubi është i fortë, me lidership të qëndrueshëm dhe një vizion të përcaktuar mirë.

AS Roma do të vendoset gjithmonë e para. Kemi besim të plotë në rrugëtimin që na pret nën drejtimin teknik të Xhan Piero Gasperinit, me objektivin e përbashkët për t’u rritur, për t’u përmirësuar dhe për të arritur rezultate në lartësinë e historisë sonë”, thuhet në njoftimin e klubit.



Read it all at Bota Sot