Një ditë e hidhur për Heracles Almelo, që tashmë është matematikisht i rënë nga kategoria elitare e futbollit holandez. Humbja 2-0 në shtëpi ndaj Volendamit vulosi fatin e skuadrës, duke e dërguar atë në Divizionin e Dytë sezonin e ardhshëm.
Ndeshja, që duhej të ishte një shans i fundit për të mbajtur gjallë shpresat, përfundoi në zhgënjim total për vendasit.
Përveç rezultatit negativ, situata u përkeqësua edhe nga incidentet në stadium.
Në minutat e fundit të takimit, arbitri u detyrua ta ndërpriste lojën dhe të dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes për shkak të hedhjes së flakadanëve në fushë nga tifozët e Heracles-it.
Atmosfera u tensionua edhe më shumë në tribuna, ku u raportuan përplasje dhe incidente mes tifozëve, duke lënë një imazh shumë negativ në një ditë që shënoi rënien përfundimtare të klubit. Këto skena errësuan edhe më tej një sezon të vështirë për skuadrën nga Almelo.
Me këtë rezultat, Heracles i jep fund aventurës në Eredivisie, ndërsa tani do të duhet të rindërtojë gjithçka për të synuar rikthimin sa më të shpejtë në elitën e futbollit holandez.