Ylli i Milanit, Rafael Leao, u fishkëllye sërish nga tifozët e tij gjatë ndeshjes ndaj Juventusit në “San Siro”.
Ky nuk ishte rasti i parë, pasi një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe dy javë më parë në humbjen 3-0 ndaj Udineses.
Në këtë përballje të Serie A, Leao u zëvendësua në minutën e 80-të nga Christopher Nkunku dhe u përcoll me fishkëllima nga shumica e tifozëve vendas teksa po largohej nga fusha.
Megjithatë, trajneri Massimiliano Allegri i dha mbështetje sulmuesit portugez, duke e përshëndetur me një “Bravo” dhe një “high five” në stol.
Leao nuk ka shënuar në kampionat që nga 1 marsi, por ka kontribuar me një asist për golin vendimtar të Adrien Rabiotit ndaj Hellas Veronas dhe gjithashtu krijoi një rast të pastër kundër Juventusit, kur Alexis Saelemaekers goditi traversën pas një pasimi të tij.
Ndeshja Milan – Juventus u mbyll pa gola, me dy skuadrat që dolën me nga një pikë nga “San Siro".