Luis Enrique: Asnjë ekip nuk është më i mirë se PSG

- Bota Sot

Luis Enrique: Asnjë ekip nuk është më i mirë se PSG

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka deklaruar se nuk e sheh asnjë skuadër më të mirë se sa ajo që ai e drejton.

 Ai ka folur në prag të gjysmëfinales së Champions League ndaj Bayern Munich.

PSG, Bayern Munich dhe Arsenal janë mes skuadrave më të forta këtë sezon në Evropë, ndërsa klubi gjerman tashmë ka siguruar titullin në Bundesliga, duke humbur vetëm një ndeshje gjatë gjithë kampionatit.

Para ndeshjes së parë gjysmëfinale në Paris, Enrique e ka vlerësuar formën e kundërshtarëve, por ka theksuar se PSG është në nivelin më të lartë të mundshëm.

“Arsenal ka bërë një punë të jashtëzakonshme këtë sezon për sa i përket stabilitetit. Bayern është pak përpara nesh sepse ka humbur shumë pak ndeshje, por nëse flasim për atë që kemi treguar si ekip, ne jemi aty lart. Dhe për mua, asnjë ekip nuk është më i mirë se ne”, ka deklaruar Enrique.

Ai ka kujtuar se edhe sezonin e kaluar PSG nuk kishte përfunduar në mesin e tetëshes më të mirë në fazën e ligës, por megjithatë kishte arritur ta fitojë trofeun e Champions League.

“Është magjia e Champions League që u jep lojtarëve energji të veçantë. Të gjithë duan të jenë pjesë e këtyre ndeshjeve dhe të japin maksimumin”, ka shtuar trajneri spanjoll.

Enrique ka thënë se ndeshja ndaj Bayern Munich do të jetë shumë e vështirë, sidomos për shkak të forcës sulmuese të gjermanëve, por është shprehur se PSG nuk do ta ndryshojë stilin e lojës.

Sipas tij, roli i krahëve dhe mbrojtësve anësorë do të jetë vendimtar, duke kujtuar rëndësinë që patën në suksesin e sezonit të kaluar.

PSG synon të vazhdojë rrugëtimin drejt një tjetër finaleje evropiane, ndërsa Enrique ka theksuar se skuadra është edhe më e uritur për trofe se vitin e kaluar kur fitoi për herë të parë Ligën e Kampionëve.



Read it all at Bota Sot