Diego Simeone ka reaguar ndaj raportimeve që lidhin Julian Alvarezin me një transferim të mundshëm tek Arsenali gjatë verës, duke pranuar se klubet më të mëdha të Europës janë të interesuara për sulmuesin argjentinas.
Duke folur para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër liderëve të Premierligës, Simeone tha se është “normale” që një lojtar i nivelit të Alvarezit të ndiqet nga klubet elitare të kontinentit.
“Është normale. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm,” tha Simeone.
“Ka interes nga Arsenal, Paris Saint-Germain, Barcelona dhe klube të tjera. Por nuk është diçka që na shqetëson”, shtoi ai.
Sipas raportimeve, Arsenali e sheh Alvarezin si sulmuesin finalizues që mund ta çojë ekipin në një nivel dominues në Angli dhe Europë.
Megjithatë, Atletico Madridi nuk ka ndërmend ta shesë dhe e vlerëson lojtarin rreth 87 milionë paund.
Gjithashtu thuhet se vetë Alvarez preferon të qëndrojë në Spanjë, qoftë tek Atletico ose në një transferim tjetër brenda La Liga, me Barcelonën që përmendet si destinacioni më i mundshëm në Spanjë.
Pavarësisht zhurmës së merkatos, Simeone e riktheu fokusin te objektivi kryesor – Championsi.
Ai theksoi se Atletico nuk i detyrohet askujt suksesin dhe se gjithçka duhet fituar në fushë me punë dhe përkushtim.
“Askush nuk na ka borxh asgjë; duhet të punojmë dhe të shpresojmë që fati të jetë me ne,” u shpreh ai.
“Nuk ka presion, ka përgjegjësi. Është një emocion i madh të jesh pranë një objektivi të tillë”, vazhdoi ai.
Simeone gjithashtu vlerësoi atmosferën dhe faktin që klubi është sërish në gjysmëfinale pas një kohe të gjatë, duke theksuar se përballja do të jetë e vështirë dhe e vendosur nga detajet.