Java e fundit e sezonit të rregullt në Kategorinë e Parë premton emocione deri në sekondat e fundit, aty ku si gara për titullin kampion, ashtu edhe beteja për mbijetesë, mbeten totalisht të hapura.
Pas 32 javësh të luajtura, Skënderbeu dhe Laçi kanë siguruar matematikisht ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar, por tani përballja mes tyre vlen më shumë se krenaria.
Në lojë është titulli kampion i Kategorisë së Parë, si edhe shpërblimi prej 50 milionë lekësh për skuadrën fituese.
Sfida vendimtare mes Skënderbeut dhe Laçit do të zhvillohet të hënën dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH Sport, në një duel që pritet të mbajë të gozhduar tifozët para ekranit. Korçarët kryesojnë me 77 pikë, vetëm një më shumë se kurbinasit me 76, çka e kthen këtë përballje në një finale të vërtetë sezoni.
Ndërkohë, edhe në fundin e tabelës situata është dramatike. \Katër skuadra luftojnë për të shmangur rënien, me diferenca minimale dhe me çdo gol që mund të peshojë fatin e sezonit. Lushnja, Apolonia, Kukësi dhe Luftëtari do të kërkojnë shpëtimin në 90 minutat e fundit.
Këto janë takimet e javës së fundit, ku ditën e dielë do të zhvillohen 5 përballjet e fundit të sezonit, ku Luftëtari-Pogradeci do të keni mundësi ta ndiqni në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.