A mund të jetë Milani zgjedhja e radhës për Romelu Lukaku?
Nëse sezonin e kaluar sulmuesi belg ishte vendimtar për Napolin në garën për titull, këtë vit ai ka qenë thjesht një “hije” e vetes.
Fillimisht, Lukaku u përball me një dëmtim që e mbajti jashtë fushave nga gushti deri në shkurt. Më pas erdhi përplasja me trajnerin Antonio Konte dhe klubin gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar, dhe që prej atij momenti ai është zhdukur nga skena.
Gazetari italian Mateo Moreto foli për të ardhmen e tij në një video në “YouTube”, duke lënë të kuptohet se aventura e Lukakut te Napoli po shkon drejt fundit.
Edhe pse ka kontratë deri në vitin 2027, sezoni aktual mund të konsiderohet praktikisht i humbur për të. Sipas Moretos: “Lukaku, 32 vjeç dhe me kontratë deri në 2027, do të largohet nga Napoli në fund të sezonit.
Për shkak të historisë së tij, të kaluarës së afërt dhe lidhjes me qytetin, ai do të rikthehej me dëshirë në Milano. Opsioni Inter është i mbyllur për arsye të dukshme. Milani është në kërkim të një sulmuesi, aktualisht nuk ka negociata, por do të shohim nëse ai mund t’i propozohet klubit në javët në vijim”.
Në këtë mënyrë, pista Milan mbetet një mundësi reale, edhe pse për momentin gjithçka është në fazë ideje dhe jo konkrete.