Arteta: Simeone ka transformuar klubin me pasion

- Bota Sot

Arteta: Simeone ka transformuar klubin me pasion

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka analizuar përballjen e rëndësishme ndaj Atlético Madridit në gjysmëfinalen e UEFA Champions League, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe trajnerin e tij.

Arteta theksoi se skuadra e tij vjen me besim pas fitores ndaj Newcastle, por pranoi se ndeshja në “Metropolitano” do të jetë shumë e vështirë. “Është një mundësi e madhe për klubin. Duam të dominojmë, të kemi topin dhe të jemi ambiciozë”, u shpreh ai.

Në lidhje me mungesat, trajneri konfirmoi se Kai Havertz dhe Jurrien Timber nuk do të jenë të gatshëm, ndërsa Eberechi Eze dhe Bukayo Saka pritet të jenë pjesë e sfidës.

Duke folur për kundërshtarin, Arteta nuk kurseu elozhet për Diego Simeonen: “Është një trajner me përvojë të jashtëzakonshme. Ka transformuar Atleticon gjatë 15 viteve, me pasion dhe duke u rebeluar ndaj çdo situate. Është një referencë absolute”.

Spanjolli shtoi se detajet do të bëjnë diferencën në këtë fazë të garës: “Kur arrin në këtë nivel, gjithçka vendoset nga momentet e vogla. Duhet të jemi të jashtëzakonshëm”.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e menaxhimit të ndeshjes dhe përshtatjes ndaj kushteve, përfshirë edhe terrenin apo motin. “Kemi luajtur në shumë situata të ndryshme dhe jemi gati për çdo skenar”, u shpreh Arteta.

Në fund, trajneri i Arsenalit bëri të qartë objektivin: “Duam të japim maksimumin për të fituar këtu. Pastaj do të shohim si do të zhvillohet gjithçka”.



Read it all at Bota Sot