Atletico Madrid do të përballet me Arsenalin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “Riyadh Air Metropolitano”. Skuadra e Diego Simeones synon reagim pas humbjes së thellë 4:0 nga londinezët në fazën e grupeve të këtij edicioni.
Atletico hyn në këtë takim me mungesa të rëndësishme, pasi Pablo Barrios dhe Jose Maria Gimenez janë jashtë për shkak të lëndimeve, ndërsa dyshime ka edhe për aktivizimin e Ademola Lookman dhe David Hancko. Megjithatë, rikthimi i Julian Alvarez në formacion pritet të jetë një shtysë për repartin ofensiv, ku Antoine Griezmann mbetet figura kryesore.
Në anën tjetër, Arsenali përballet me probleme në përzgjedhje, me Kai Havertz që mungon për shkak të një lëndimi muskulor. Lajm pozitiv për “Topçinjtë” është rikthimi i mundshëm i Bukayo Saka, ndërsa Eberechi Eze është i gatshëm për lojë. Skuadra e Mikel Artetas do të mbështetet në qëndrueshmërinë defensive, ku William Saliba dhe Gabriel kanë qenë ndër më të dalluarit në këtë edicion.
Atletico ka regjistruar vetëm dy fitore në nëntë ndeshjet e fundit, por mbetet e fortë në shtëpi në fazën nokaut të kësaj gare. Ndërkohë, Arsenali është ende i pamposhtur në Ligën e Kampionëve këtë sezon dhe ka shfaqur një mbrojtje solide, duke pësuar vetëm pesë gola në 12 ndeshje.
Formacionet e mundshme të këtij ballafaqimi që nis nga ora 21:00:
Atletico Madrid: Oblak; Molina, Le Normand, Lenglet, Ruggeri; Simeone, Koke, Cardoso, Gonzalez; Griezmann, Alvarez
Arsenal: Raya; White, Saliba, Gabriel, Hincapie; Odegaard, Zubimendi, Rice; Saka, Gyokeres, Martinelli