Një rast i rëndë që përfshin vjedhje, rrezikim të përgjithshëm dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë ka marrë zhvillim të ri në Suharekë, mëson Sinjali.
Ngjarja kishte nisur më 27 prill 2026 në fshatin Reqan, ku Policia kishte marrë informacion për prerje të paligjshme të druve në pronë private. Në vendngjarje ishte hasur i dyshuari B. Ahmeti rreth 56 vjeç, i cili nuk iu ishte bindur urdhrave të Policisë për ndalim dhe kishte tentuar të godasë zyrtarët policorë me automjetin e tij, duke rrezikuar jetën e tyre.
Pas ndjekjes, i njëjti ishte hasur sërish në fshatin Sopi, por kishte vazhduar arratisjen duke përsëritur rrezikimin ndaj Policisë.
Sipas burimeve, më 28 prill 2026, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia në Suharekë, është arritur arrestimi i B. Ahmetit, si dhe i dy të dyshuarve të tjerë: A. Ahmeti dhe një i mitur.
Gjatë arrestimit, të dyshuarit kanë rezistuar ndaj Policisë dhe kanë sulmuar zyrtarët policorë, duke u shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Prokurori i Shtetit tashmë ka vendos për masat e mëtejshme, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.