Barcelona ka vendosur të godasë fort në merkato, duke e bërë Julian Alvarez objektivin kryesor për përforcimin e repartit ofensiv.
Megjithatë, kërkesa e lartë e Atletico Madridit, që e vlerëson sulmuesin rreth 140 milionë euro, mbetet një pengesë serioze për klubin katalanas.
Për të zhbllokuar negociatat, drejtuesit blaugrana, në krye me Deco dhe trajnerin Hansi Flick, kanë përgatitur një ofertë alternative: përfshirjen e tre lojtarëve aktualë në marrëveshje. Bëhet fjalë për Fermin Lopez, Marc Casado dhe Ferran Torres.
Qëllimi i kësaj lëvizjeje është ulja e kostos totale të transferimit, pasi Barcelona nuk është e gatshme të tejkalojë kufirin prej 100 milionë eurosh neto.
Në këtë kontekst, përfshirja e “aseteve sportive” shihet si alternativa më reale për të bindur drejtuesit madrilenë, në krye me presidentin Enrique Cerezo.
Fermin Lopez konsiderohet një nga kartat më të vlefshme në këtë operacion, falë zhvillimit të tij të shpejtë dhe performancave mbresëlënëse.
Megjithatë, Flick beson se mesfusha e Barcelonës ka alternativa të mjaftueshme për të përballuar një largim të mundshëm të tij.
Nga ana tjetër, situata e Casado duket më e qartë, pasi lojtari ka kërkuar më shumë hapësira dhe një largim i mundshëm shihet si zgjidhje logjike.
Ndërkohë, Ferran Torres do ta mirëpriste një transferim te Atletiko, për të rifituar rolin e titullarit që ka humbur në skemat aktuale.
Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse Diego Simeone dhe drejtuesit e Atleticos do të pranojnë këtë formulë, apo do të këmbëngulin në kërkesën e tyre të lartë financiare për një nga sulmuesit më të kërkuar në treg.