Zyrtarja më e lartë e Bashkimit Evropian ka paralajmëruar se lufta në Iran do të vazhdojë të ketë ndikim negativ në Evropë për një kohë të gjatë.
“Pasojat e këtij konflikti mund të zgjasin për muaj, apo edhe vite,” ka thënë Ursula von der Leyen në një fjalim në Parlamentin Evropian, duke e cilësuar këtë situatë si një “realitet të ashpër”.
Presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar se mësimi kryesor nga kjo krizë është nevoja për ndryshim të përbërjes energjetike të BE-së, nga varësia ndaj karburanteve fosile të importuara drejt burimeve të rinovueshme.
Ndërkohë, edhe CEO i kompanisë Carlsberg, një nga prodhuesit më të mëdhenj të birrës në botë, ka paralajmëruar se kompania po përgatitet për ndikimin ekonomik të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, i cili mund të zgjasë deri në fund të vitit.
Në përgjigje të situatës, Bashkimi Evropian ka lehtësuar sot rregullat e konkurrencës, duke lejuar kompanitë të marrin më shumë subvencione për kostot shtesë të karburantit dhe plehrave kimike.