Ravaneli kritikon

- Bota Sot

Ravaneli kritikon

Kriza e sulmuesve te Juventus duket se nuk ka fund.

Trajneri Luçiano Spaleti po përballet prej kohësh me këtë situatë, duke menaxhuar forcat sipas kalendarit dhe mungesave.

Dushan Vlahoviç sapo është rikthyer, Kenan Jildiz nuk është në formën më të mirë dhe trajneri vazhdon t’i japë besim Xhonatan David.

Por sipas Fabricio Ravanelit, ky i fundit “e ka paguar shumë kalimin në një nivel më të lartë”.

Klubi ka nisur tashmë reflektimet për rindërtimin e repartit ofensiv, duke marrë në konsideratë si rinovimin e Vlahoviçit në fund të sezonit, ashtu edhe afrimin e një lojtari të madh si Robert Levandovski. Por Ravaneli ka ide shumë të qarta për këtë çështje.

Çfarë i mungon sulmit të Juventusit këtë sezon? Sipas meje mungon një finalizues. Ky është problemi kryesor i Juventusit. Mungesa e gjatë e Vlahoviçit ka ndikuar shumë. Edhe ai ka pasur vështirësi, por me të në 100% Juventusi do të kishte më shumë pikë. Spaleti është përpjekur ta bëjë skuadrën më cinike në sulm, sepse raste krijohen shumë dhe kohët e fundit janë shënuar edhe gola. Problemi është se mungon një qendërsulmues i vërtetë që bën diferencën. Mungon një numër 9.\

A meriton Vlahoviç një tjetër shans? Do të varet shumë nga Spaleti, nga Xhiorxhio Kielini dhe nga Damien Komoli, si dhe nga mënyra se si duan të luajnë. Ai mund të ndihmojë, por Juventusi nuk ka nevojë vetëm për Vlahoviçin. Edhe nëse qëndron, duhet një tjetër sulmues i madh që bën diferencën. Historikisht Juventusi ka pasur gjithmonë konkurrencë të fortë në sulm. Vetëm ai nuk mjafton për të luftuar në të gjitha frontet.

Levandovski do të ishte zgjedhja e duhur? Sipas meje jo. Do të ishte një mesazh i gabuar për tifozët dhe për projektin e klubit. Do të ishte një hap pas.

Jo sepse Levandovski nuk është i fortë, përkundrazi, është një kampion i madh, por Juventusi ka nevojë për lojtarë me të ardhme, që ndërtohen brenda klubit dhe kanë ADN-në e Juventusit. Nuk duhet të shkojë te një lojtar 38-vjeçar.

Kë do të zgjidhje? Do të bëja gjithçka për Viktor Osimhen, edhe pse është e vështirë për shkak të klauzolave. Ka shumë sulmues të fortë, duke filluar nga Gabriel Zhezus, që për mua është një sulmues ideal për Juventusin, edhe pse ka pasur disa dëmtime. Ka edhe të rinj të tjerë, klubi duhet të jetë i zoti në zbulimin e profilit të duhur. Sulmuesit e gatshëm janë të paktë dhe shumë të shtrenjtë. Duhet ndërtuar një bazë me lojtarë të rinj me talent dhe perspektivë, si në kohën kur Juventusi fitoi edhe Championsin, me një grup lojtarësh që kishin uri dhe dëshirë për të treguar veten.

Ka një sulmues italian ku duhet besuar? Mua më ka pëlqyer gjithmonë Moise Kin. Ka pasur dëmtime dhe një periudhë të vështirë, por është një nga të rinjtë me më shumë potencial në futbollin italian. Ka forcë fizike dhe profil për të qenë sulmues i Juventusit.

Sezoni i David është për t’u harruar? Po, është një sezon negativ. Ka shënuar disa gola, por nuk besoj se është lojtari i duhur për të fituar Champions apo kampionatin. Në 30 vitet e fundit, Juventusi ka pasur gjithmonë sulmues vendimtarë. David ka vuajtur shumë kalimin në një nivel më të lartë. Është ndryshe të luash te Lilë dhe ndryshe te Juventusi, ku pesha e fanellës është shumë më e madhe. Duhet personalitet i fortë, karakter dhe vendosmëri. Pa këto cilësi, është shumë e vështirë.

E njëjta gjë vlen për Zhegrovën dhe Opendën? Edon Zhegrova më duket me më shumë personalitet. Në momentet e vështira, David dhe Lois Openda më kanë dhënë përshtypjen se shmangin përgjegjësitë. Ndërsa te Zhegrova duhet besuar, ka cilësi dhe merr përsipër përgjegjësi. Do të doja ta shihja në një Juventus fitues.

A duhet ndërtuar skuadra rreth Jildiz? Ai është fenomen. Duhet nisur prej tij, por edhe nga Françisko Konseiçao, Zhegrova dhe Zheremi Boga. Janë lojtarë që mund të vendosin ndeshjet. Jildiz shpesh ka bërë edhe më shumë se duhet, duke mbuluar gjithë krahun, gjë që të lodh dhe të heq freskinë. Prandaj ardhja e Bogas ka qenë e rëndësishme. Gjithsesi, ai është numri 10 i Juventusit, i mrekullueshëm.

Ka më shumë vetëdije ky Juventus? Sipas meje ka tre-katër lojtarë mbi të cilët mund të rindërtohet skuadra. Jildiz, Gleison Bremer dhe Konseiçao janë baza për të krijuar bërthamën e fortë të ekipit.



Read it all at Bota Sot