Një mesazh i publikuar nga Romelu Lukaku në rrjetet sociale ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e tij te Napoli. Sulmuesi belg ndau një frazë domethënëse në “Instagram Story”, duke lënë të kuptohet pakënaqësia me situatën aktuale.
“Nuk po injoroj asgjë. Thjesht nuk po argëtohem”, ishte mesazhi i tij, që sipas shumëkujt lidhet drejtpërdrejt me momentin e vështirë që po kalon në Napoli.
Sezoni i Lukaku-t ka qenë larg pritshmërive. Ai ka regjistruar vetëm shtatë paraqitje në total: pesë në Serie A, një në Kupën e Italisë dhe një në UEFA Champions League, duke shënuar vetëm një gol. Një dëmtim muskulor në muajin gusht e ndali gjatë, ndërsa edhe pse u rikthye në dispozicion të trajnerit Antonio Conte në janar, ai pothuajse nuk ka pasur hapësira.
Pas vetëm gjashtë minutash në ndeshjen kundër Torinos më 6 mars, sulmuesi nuk është parë më në fushë. Një dëmtim i ri dhe vendimi për të qëndruar në Belgjikë gjatë pauzës së kombëtareve për të vazhduar rikuperimin nuk janë pritur mirë nga klubi.
Kjo situatë ka tensionuar raportet mes palëve dhe sipas mediave italiane, nuk përjashtohet një largim i mundshëm në merkato. Vetë Lukaku ka dhënë një tjetër sinjal për gjendjen e tij emocionale, duke shkruar: “Momentet e vështira vijnë e shkojnë, dhe disa sezone zgjasin më shumë se të tjerët. Qëndro i fortë, mos u dorëzo”.
Një mesazh që tingëllon si reflektim personal, por edhe si paralajmërim për një ndryshim të mundshëm në të ardhmen.