Skuadra e PSG-së fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League ndaj Bayern Munichut.
Adhuruesit e futbollit panë një ndeshje spektakolare ku u shënuan plot nëntë gola derisa në fund parisienët fituan me rezultat 5-4.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, pas kësaj sfide tha se ishte një ndeshje me intensitet të lartë ku çdo rezultat ishte i merituar, qoftë fitore, barazim apo humbje.
“Nuk kam parë kurrë një intensitet dhe nivel fizik të tillë. Duhet t’i përgëzojmë të gjithë.
E meritonim fitoren, e meritonim barazimin dhe e meritonim humbjen sot. Ishte një ndeshje fantastike. Ka qenë ndeshja më e mirë në të cilën kam qenë si trajner. Pa dyshim”, ka deklaruar Enrique.
Ai po ashtu shtoi se nëse skuadra e tij do të dëshironte kualifikimin në finale, do të duhet të shënoj së paku tre gola në ndeshjen e kthimit ndaj Bayernit në Mynih.
“Do të shkojmë në Mynih me një ide të qartë: të sulmojmë dhe të fitojmë ndeshjen.
E pyeta stafin tim se sa gola duhet të shënojmë në Allianz Arena për t’u kualifikuar dhe ndjesia është të paktën tri”, shtoi Luis Enrique..