KF Trepça reagon pas dokumentarit të “Torcidës”: Mos u manipuloni nga dezinformatat

- Bota Sot

KF Trepça reagon pas dokumentarit të “Torcidës”: Mos u manipuloni nga dezinformatat

KF Trepça ka reaguar zyrtarisht pas publikimit të dokumentarit “Liri për Trepçën” nga tifogrupi Torcida, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe tendencioze.

Në një komunikatë të publikuar në rrjetet sociale, klubi mitrovicas thekson se është i detyruar të mbrojë “të vërtetën dhe integritetin” e tij, duke sqaruar se ngjarja e përmendur në video i përket vitit 2018.

Sipas reagimit, një individ – i përshkruar si ish-udhëheqës jozyrtar i tifogrupit – kishte marrë bileta nga klubi për t’i shpërndarë dhe shitur te tifozët, por nuk kishte kthyer në tërësi mjetet financiare të përfituara, duke dëmtuar drejtpërdrejt klubin.

“Për këtë arsye, klubi ka ndërprerë çdo bashkëpunim me këtë person. Që nga ajo kohë, i njëjti ka zhvilluar një fushatë të vazhdueshme kundër klubit”, thuhet në reagim.

KF Trepça shton se publikimi i videos së fundit është një përpjekje për të manipuluar opinionin publik për interesa personale, duke theksuar se çdo tentativë për përfitim në kurriz të klubit është refuzuar dhe do të refuzohet gjithmonë.

Në komunikatë përmendet edhe ndërprerja e bashkëpunimit me personin me inicialet B.I., për shkak të moskthimit të mjeteve nga shitja e biletave.

Klubi u bën thirrje tifozëve që të mos bien pre e, siç i quan, “dezinformatave dhe tentativave për përçarje”, duke insistuar se Trepça “ka qenë dhe do të mbetet institucion i pastër, i ndërtuar mbi sakrificë dhe përkushtim”.



Read it all at Bota Sot