Raporti ndërkombëtar trondit Specialen: Organizata britanike alarmon për shkelje të të drejtave të çlirimtarëve

- Gazeta e Prizrenit

Raporti ndërkombëtar trondit Specialen: Organizata britanike alarmon për shkelje të të drejtave të çlirimtarëve

Një raport i organizatës prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.

Dokumenti, i prezantuar në Prishtinë nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është i përqendruar ekskluzivisht në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe konsiderohet ndër analizat më kritike të deritanishme për këtë gjykatë.

Sipas raportit, ekziston rrezik real që disa procese të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Në fokus të raportit janë edhe shqetësimet për trajtimin e të akuzuarve, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ku përmendet posaçërisht kohëzgjatja e paraburgimit dhe kufizimi i lirimit të përkohshëm.

Raporti thekson se, ndonëse kuadri ligjor i Gjykatës Speciale duket korrekt në letër, në praktikë ekzistojnë kufizime që mund të cenojnë të drejtën për liri dhe barazinë mes palëve. Një ndër gjetjet kryesore lidhet me parimin e “barazisë së armëve”, ku mbrojtja mund të jetë në disavantazh përballë prokurorisë.

Një tjetër shqetësim serioz lidhet me provat dhe transparencën. Sipas raportit, ekziston rreziku i përdorimit të provave me vlerë të dobët ose të paverifikuara, përfshirë materiale nga Serbia, ndërsa mungon qartësia për burimin e disa prej tyre. Kjo, sipas autorëve të raportit, mund të ndikojë drejtpërdrejt në legjitimitetin e vendimeve gjyqësore.

Dokumenti ngre gjithashtu pikëpyetje për strukturën e vetë gjykatës, e cila përbëhet vetëm nga gjyqtarë ndërkombëtarë, pa përfshirje të ekspertizës vendore, si dhe për paqartësi në aplikimin e ligjit dhe mungesë transparence në disa procese dhe vendimmarrje.

Në përfundim, raporti thekson se, megjithëse Gjykata Speciale ka bazë ligjore, mënyra e funksionimit të saj në praktikë ngre shqetësime serioze për drejtësi, barazi dhe legjitimitet. Nëse këto probleme nuk adresohen, paralajmërohet se mund të dëmtohet jo vetëm e drejta e të akuzuarve, por edhe besimi publik dhe stabiliteti në rajon.

Raporti rekomandon krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe të vazhdueshëm monitorimi për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe rritjen e besueshmërisë së procesit gjyqësor në Hagë. /Klankosova.tv



Read it all at Gazeta e Prizrenit