Sot, më 01.05.2026, rreth orës 12:00, Policia ka pranuar informacion se në fshatin Piran, Prizren, një person i gjinisë femërore, rreth 43 vjeç, është gjetur pa shenja jete.
Njësitë policore dhe ekipi emergjent kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendngjarje.
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur provat ndërlidhëse. Pranë trupit të viktimës është gjetur një armë zjarri (pistoletë), e cila me urdhër të prokurorit është sekuestruar.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion.
Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes” dhe është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.