Një shtetas serb është ndaluar në pikën kufitare në Merdar pasi në automjetin e tij u gjetën dhjetëra materiale me mbishkrime nxitëse dhe provokuese, mëson Sinjali nga burime të afërta me rastin.
Ngjarja ka ndodhur më 11 maj 2026 rreth orës 16:30, në hyrje të Republikës së Kosovës.
Sipas informatave, gjatë një kontrolli të përbashkët nga Policia Kufitare dhe Dogana, për kontroll të detajuar është selektuar një automjet VW Caddy me targa të Beogradit, që drejtohej nga Igor Culum (1998), shtetas serb me banim në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë kontrollit në automjet janë gjetur rreth 100 materiale me përmbajtje nxitëse, ku shkruheshin sloganet: “Kad Vojska na Kosovo Vrati” dhe “Dogodine u Prizrenu”.
Sinjali mëson se për rastin është njoftuar Prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm të materialeve.
Ndaj shoferit është shqiptuar kundërvajtje sipas ligjit në fuqi.
Pas përfundimit të procedurave, personi dhe automjeti janë kthyer mbrapa në drejtim të Serbisë.
Sipas autoriteteve, kthimi është bërë edhe për faktin se shoferi nuk kishte pranuar të kryente procedurat e zhdoganimit për materiale të tjera që transportonte në automjet.