Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Burim Plakollit, pronar i kompanisë BMS Solutions, nën dyshimin e bazuar mirë për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, sipas nenit 415, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “BMS Solutions” Sh.P.K., dyshohet se më 22 dhjetor 2023, në Dragash, me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i përmbushur detyrimet kontraktuale që rridhnin nga kontrata publike me titull: “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla – KK Dragash”.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik “BMS Solutions” Sh.P.K., në cilësinë e operatorit ekonomik fitues të kontratës, për të njëjtën vepër penale.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, të pandehurit konsiderohen të pafajshëm.