Parandalohet nga Dogana e Kosovës kontrabandimi i 200 kg dyneri

- Gazeta e Prizrenit

Parandalohet nga Dogana e Kosovës kontrabandimi i 200 kg dyneri

Gjatë kontrolleve rutinë në pikat kufitare, zyrtarët doganorë kanë parandaluar një rast të futjes së paligjshme të produkteve të mishit në territorin e Republikës së Kosovës, duke eliminuar kështu një rrezik serioz për konsumatorët.

Mbrëmë, rreth orës 18:20, në pikëkalimin kufitar Glloboçicë, në hyrje të vendit, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet udhëtarësh.

Edhe pse drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur para autoriteteve, pas kontrollit të hollësishëm të mjetit u zbuluan 10 copë rollne dyneri me peshë nga 20 kg secila, në një sasi totale prej rreth 200 kg dhe me vlerë të përafërt prej 800 eurosh.

Përtej tentativës për shmangie të detyrimeve dhe taksave doganore, ky rast paraqet një shqetësim të lartë për sigurinë ushqimore.

Sasia e mishit po transportohej në një automjet të zakonshëm udhëtarësh, në mungesë të plotë të kushteve higjienike dhe pa temperaturë adekuate (pa frigorifer), duke synuar kështu edhe shmangien e kontrollit të domosdoshëm sanitar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Hyrja e produkteve të tilla jashtë çdo standardi të transportit dhe pa kontroll profesional përbën një rrezik potencialisht të lartë për shëndetin, ku nga kjo sasi mishi mund të prekeshin me mijëra qytetarë.

Malli është sekuestruar menjëherë dhe do t’i nënshtrohet trajtimit të mëtejshëm ligjor për të siguruar neutralizimin e plotë të rrezikut, ndërsa ndaj palës ka filluar procedura kundërvajtëse.

Dogana e Kosovës u bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin me çdo kusht aktivitetet biznesore joformale dhe kontrabandën. Mosnënshtrimi ndaj kontrolleve të parapara të sigurisë sjell pasoja të paparashikueshme për shëndetin publik, si dhe ndëshkime të rënda penale dhe administrative për të gjithë ata që shkelin ligjin e sigurisë ushqimore.



Read it all at Gazeta e Prizrenit