Tentoi ta godiste policin me veturë në Prizren – 32-vjeçari përfundon në ndalim

- Gazeta e Prizrenit

Tentoi ta godiste policin me veturë në Prizren – 32-vjeçari përfundon në ndalim

Kanë dalë detaje të reja nga rasti i rëndë në Prizren, ku një shofer dyshohet se tentoi ta godiste me veturë një zyrtar policor gjatë një ndalimi në trafik, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për D. Berishën, i cili tashmë është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ngjarja kishte ndodhur më 15 maj 2026 rreth orës 18:55 në fshatin Serbicë e Poshtme, pasi Policia kishte pranuar informacion për një person që po zhvillonte vozitje të rrezikshme.

Sipas informatave, patrulla policore kishte arritur ta ndalonte automjetin, por gjatë komunikimit me zyrtarët policorë, i dyshuari kishte nisur veturën me vrull në drejtim të një polici, duke tentuar ta godiste.

Sinjali mëson se pas urdhrave të policëve, ai kishte ngadalësuar lëvizjen dhe ishte vënë nën kontroll.

Burimet bëjnë të ditur se gjatë arrestimit, i dyshuari kishte pësuar lëndime të lehta trupore dhe fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit, e më pas ishte shoqëruar në stacion policor.

Pas njoftimit për rastin, hetuesit rajonalë kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore.

Sipas burimeve, gjatë intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, David Berisha ka refuzuar të deklarohet dhe ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Me vendim të Prokurorit kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm në Prizren, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prizren.

Rasti po hetohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Gazeta e Prizrenit