Universiteti Publik në Prizren ka përkujtuar 27-vjetorin e zhdukjes së intelektualit dhe veprimtarit shqiptar Ukshin Hoti, emrin e të cilit e mban ky institucion i arsimit të lartë, përcjell Gazeta e Prizrenit.
“27 vite më parë u zhduk Ukshin Hoti, por ideali dhe fjala e tij vazhdojnë të jetojnë ndër ne.
Si intelektual, profesor dhe veprimtar i palodhur, Ukshin Hoti mbeti gjithmonë në anën e së vërtetës, dijes dhe lirisë. Ai ishte ndër ata njerëz që nuk heshtën përballë padrejtësisë dhe që besuan se mendimi i lirë është forca më e madhe e një shoqërie.
Sot, në 27-vjetorin e zhdukjes së tij, e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje për kontributin që la në historinë, mendimin politik dhe ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Mungesa e zbardhjes së fatit të tij vazhdon të mbetet dhimbje dhe obligim moral për drejtësi.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren përkulet me nderim para figurës dhe veprës së tij, duke ruajtur gjallë frymën e dijes, guximit dhe dinjitetit që ai përfaqësoi.
Lavdi jetës dhe veprës së Ukshin Hotit! / Gazeta e Prizrenit