“Oda e Prizrenit” ka reaguar për mungesën e zonës industriale, duke e konsideruar si padrejtësi ndaj zhvillimit ekonomik dhe bizneseve, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Komunikata e plotë:
“Mungesa e një zone industriale në Prizren nuk është më thjesht problem është një padrejtësi e vazhdueshme ndaj zhvillimit ekonomik të qytetit dhe bizneseve vendore. Kërkojmë transparencë të plotë dhe përgjigje të qarta: Kush e ka bllokuar këtë proces dhe deri kur do të vazhdojë kjo gjendje?
Përgjegjësia nuk mund të shmanget. Ajo bie mbi të gjitha nivelet: institucionet qendrore, qeverisjen komunale, por edhe përfaqësuesit e bizneseve që shpesh mbeten nën ndikime politike dhe pa zë të pavarur. Ndërkohë, bizneset prizrenase po detyrohen të largohen nga qyteti ose të përballen me kosto të larta për të siguruar hapësira pune. Kjo është e papranueshme.
Mungesa e debatit publik dhe e transparencës për këtë çështje vetëm sa e thellon problemin. Heshtja nuk është më opsion. Kërkohet përgjegjësi, veprim konkret dhe përfaqësim i pavarur i bizneseve. Parqet industriale krijojnë vende pune, tërheqin investime, fuqizojnë prodhimin vendor dhe krijojnë mundësi për biznese të reja prodhuese.
Pa këto, zhvillimi ekonomik i Prizrenit do të vazhdojë të mbetet peng‘”, përfundon komunikata
Lexo edhe:
P. S Oda Prizrenit’ bashkëpunon me organizata tjera për të arritur qëllimin në përfaqësimin e interesave të biznesit përmes rrjetizimit të këshillimit të shërbimeve dhe avokimit. /GazetaePrizrenit.net /