Akreditohen tri programe të reja master në Universitetin e Prizrenit

- Gazeta e Prizrenit

Akreditohen tri programe të reja master në Universitetin e Prizrenit
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren njoftoi se ka shënuar një sukses të rëndësishëm akademik me akreditimin e tri programeve të reja të studimeve master, të miratuara nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e tij të 149-të, të mbajtur më 18 maj 2026, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Referuar njoftimit, Ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e ofertës akademike dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale e shkencore të universitetit, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe zhvillimin e arsimit të lartë në vend.
Programet e akredituara janë:
Fakulteti i Edukimit – Edukim dhe Mësimdhënie në Matematikë në Gjuhën Turke, MA
Fakulteti Juridik – Legjislacion dhe Institucionet e Bashkimit Europian, LLM
Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit – Shkencat Pyjore dhe Ekologji Pyjore, MSc
Këto programe janë aprovuar me kuota të përcaktuara studentësh dhe me vlefshmëri trevjeçare të akreditimit, duke dëshmuar përmbushjen e standardeve të cilësisë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe organizim akademik.
Rektori i universitetit e ka vlerësuar këtë arritje si një dëshmi të përkushtimit institucional për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe zgjerimin e ofertës akademike në përputhje me nevojat e kohës.
“Akreditimi i këtyre programeve të reja master është një sukses i rëndësishëm për universitetin tonë dhe për gjithë komunitetin akademik. Kjo arritje reflekton punën dhe angazhimin e stafit akademik e administrativ në krijimin e programeve cilësore dhe konkurruese,” ka theksuar rektori Mentor Alishani. / Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

Hasjanët: Nga bullizmi dhe paragjykimet në krenari – si po shndërrohen në një komunitet ndër më të rëndësishmit në Kosovë e diasporë



Read it all at Gazeta e Prizrenit