Policia thirrje për kujdes nga SMS-të mashtruese në emër të bankave: Mos hapni linqe të dyshimta

- Gazeta e Prizrenit

Policia thirrje për kujdes nga SMS-të mashtruese në emër të bankave: Mos hapni linqe të dyshimta

Policia ka apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, pas rritjes së rasteve të SMS-ve mashtruese që po dërgohen në emër të bankave dhe që synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, më 20 maj 2026, ka bërë të ditur se edhe pse më herët ka apeluar për këtë dukuri shqetësuese, kohëve të fundit është vërejtur rritje e rasteve të mashtrimeve përmes mesazheve telefonike.

Sipas njoftimit, qytetarët po pranojnë SMS të rreme ku njoftohen se xhirollogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme. Në këto mesazhe përfshihet një link i dyshimtë, përmes të cilit kërkohet futja e të dhënave personale dhe bankare, duke mundësuar më pas qasje të paautorizuar në llogaritë bankare dhe zbrazjen e tyre.

Policia ka dhënë edhe këshilla për qytetarët, duke kërkuar që të mos hapen apo klikohen linke të dyshimta të pranuara përmes SMS-ve, të mos ndahen të dhëna personale, fjalëkalime apo kode identifikuese në platforma të pasigurta, si dhe të raportohet menjëherë çdo rast i dyshuar.


“Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos klikojnë në lidhje (linqe) të panjohura të dërguara përmes SMS-ve apo email-eve”, thuhet në njoftim.

Në fund, Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe për të ndërmarrë masa ndaj personave që kryejnë veprime të kundërligjshme.



Read it all at Gazeta e Prizrenit