Konfirmohet ajo që një ditë më parë raportoi Gazeta e Prizrenit: Arben Shala, i cili para tri vitesh ishte përfolur për ndërhyrje dhe “kurdisje” në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, është rikthyer sërish në një komision të Drejtorisë Komunale të Arsimit ( DKA ) në Prizren.
Kësaj radhe, Shala është pjesë e komisionit për vlerësimin e performancës së drejtorëve aktualë të shkollave, të cilët kanë aplikuar për vazhdim të mandatit.
Këtë e ka konfirmuar edhe DKA në një përgjigje për Gazetën e Prizrenit.
“Anëtarë të komisionit komunal janë Ferdi Kovaç, Arben Shala dhe Afërdita Çollaku”, thuhet në përgjigjen e DKA-së.
Të pyetur rreth procesit të vlerësimit të performancës, nga DKA njoftuan se interes për vazhdim mandati kanë shprehur gjithsej 14 menaxher shkollash, ndërsa deri më tani procesi është realizuar në 11 prej tyre.
Ndryshe, emri i Arben Shalës ishte bërë objekt kritikash edhe më herët nga opozita në Prizren. Para tri vitesh në media ishte publikuar një audio-incizim lidhur me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, ku ai përmendte “trika” gjatë procedurave të përzgjedhjes.
Lëvizja Vetëvendosje, por edhe LDK-ja atë kohë si pjesë e opozitës, e kishin akuzuar Shalën për ndikim në proceset e arsimit dhe përfitime nga subvencionet, duke pretenduar për lidhje me pushtetin lokal.
Ndërkohë, Kuvendi Komunal i Prizrenit para dy javësh miratoi formimin e komisionit përzgjedhës të DKA-së ( për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave), por në atë përbërje nuk figuronte emri i Arben Shalës.
Gjatë asaj seance, shefja e grupit të kuvendarëve të Vetëvendosjes, Dafina Alishani, deklaroi se e vlerësonte faktin që kësaj radhe “nuk është përfshirë trikaxhiu Shala”, të cilin ajo e kishte kritikuar edhe më herët për ndikime në proceset arsimore dhe përfitime nga subvencionet. / Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe: