Prizren: Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka shprehur shqetësim serioz lidhur me gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prizrenit për vitin 2025, duke vlerësuar se ato dëshmojnë për dobësi të vazhdueshme në menaxhimin e financave publike, prokurimin publik dhe kontrollin e brendshëm institucional.
Ajo përmes një reagimi publik, ka theksuar se raporti evidenton probleme të theksuara në planifikimin dhe realizimin e buxhetit komunal, duke përfshirë keqklasifikimin e shpenzimeve në vlerë prej mbi 2.1 milionë eurosh.
“Gjetjet e raportit dëshmojnë për probleme të theksuara në planifikimin dhe realizimin e buxhetit komunal, duke përfshirë keqklasifikimin e shpenzimeve në vlerë mbi 2.1 milion euro, mosraportimin korrekt të të hyrave komunale, si dhe mangësi në regjistrimin dhe raportimin e pasurive dhe investimeve kapitale”, thuhet në reagimin e EC Ma Ndryshe.
Sipas saj, raporti i auditimit ka evidentuar gjithashtu mungesë të dokumentacionit financiar për pagesat e realizuara përmes procedurave përmbarimore, kontraktim të projekteve pa mbulim të mjaftueshëm financiar dhe vonesa të konsiderueshme në pagesën e faturave.
EC Ma Ndryshe ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e menaxhimit të kontratave publike, duke vlerësuar se praktika të tilla cenojnë transparencën dhe besimin e qytetarëve.
Megjithatë, organizata ka vlerësuar pozitivisht faktin se menaxhmenti i Komunës së Prizrenit ka pranuar të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e auditorit, duke shprehur gatishmëri për adresimin e tyre.
“Menaxhmenti i komunës ka pranuar të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke shprehur gatishmëri për adresimin e tyre. Po ashtu, Kryetari Shaqir Totaj ka nënshkruar letrën e konfirmimit, duke u zotuar për hartimin dhe dorëzimin e një plani veprimi brenda afatit prej 30 ditësh”, ka theksuar EC Ma Ndryshe.
Në reagim është përmendur edhe fakti se shpenzimet totale të komunës kanë arritur në 97 për qind të buxhetit final prej 75.1 milionë eurosh, ndërsa të hyrat nga burimet vetanake kanë shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Raporti evidenton se shpenzimet totale kanë arritur në 97% të buxhetit final prej 75.1 milionë eurosh, duke dëshmuar kapacitet të mirë ekzekutues, ndërsa të hyrat nga burimet vetanake kanë arritur në 9.41 milionë euro, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2024”, thuhet në reagim.
Megjithatë, organizata ka vlerësuar se përsëritja e rekomandimeve nga vitet e kaluara tregon mungesë të veprimit efektiv institucional.
“Fakti që një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të auditorit janë të përsëritura nga vitet paraprake dëshmon mungesë të veprimit efektiv institucional për adresimin e problemeve të evidentuara ndër vite”, ka theksuar EC Ma Ndryshe.
Për këtë arsye, organizata u ka bërë thirrje institucioneve komunale që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve të auditorit dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.
“EC Ma Ndryshe kërkon nga institucionet komunale që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të forcojnë kontrollin e brendshëm financiar, të rrisin transparencën në menaxhimin e kontratave publike dhe investimeve kapitale, si dhe të sigurojnë përgjegjësi institucionale dhe administrative për shkeljet e evidentuara në raport”, përfundon reagimi.