Shqetësuese/ 33 persona humbën jetën në aksidente brenda pesë muajve, vjen paralajmërimi i ekspertëve

- Gazeta e Prizrenit

Shqetësuese/ 33 persona humbën jetën në aksidente brenda pesë muajve, vjen paralajmërimi i ekspertëve
Rastet tragjike në rrugët e Kosovës po vazhdojnë të ngritin shqetësim.

Vetëm gjatë javëve dhe ditëve të fundit janë raportuar disa aksidente me pasoja fatale në rajone të ndryshme të vendit, ku humbën jetën qytetarë, përfshirë edhe të rinj e të mitur.

Brenda një dite u raportuan tri viktima nga aksidente të ndara në Klinë, Ferizaj dhe Vushtrri, ndërsa së fundmi një tjetër aksident fatal në aksin Carralevë-Komoran i mori jetën një të mituri.

Sipas statistikave të dërguara nga Policia e Kosovës për “Front Online”, dhjetëra familje janë përballur me humbje të mëdha si pasojë e aksidenteve rrugore gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën janar–maj 2026 janë regjistruar gjithsej 32 aksidente fatale, ku si pasojë e tyre kanë humbur jetën 33 persona.

Përveç rasteve me pasoja tragjike, numri i aksidenteve me persona të lënduar mbetet i lartë.

Sipas statistikave, janë regjistruar 3 mijë e 316 aksidente me lëndime, ndërsa numri i personave të lënduar ka arritur në 6 mijë e 38.

Ndërkohë, pjesën më të madhe të rasteve e përbëjnë aksidentet me dëme materiale.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 5 mijë e 52 aksidente me dëme materiale, ndërsa numri i përgjithshëm i aksidenteve ka arritur në 8 mijë e 400.

Statistikat e Policisë tregojnë gjithashtu edhe intensifikim të kontrolleve në trafik, ku gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 335,194 tiketa trafiku.

Eksperti i komunikacionit: Këta janë faktorët kryesor të aksidenteve me fatalitet

Sipas ekspertit të komunikacionit, Naser Lajqi shkaku kryesor i aksidenteve me fatalitet mbetet faktori njeri.

Në një prononcim për “Front Online”, Lajqi thotë se sjellja e drejtuesve të automjeteve është përcaktuese në shumicën e rasteve tragjike.

Ai përmend edhe rastin e fundit ku thotë se nëse ka qenë problemi tek dheu në rrugë është problem serioz.

“Nëse është problemi tek dheu është problem serioz dhe nuk duhët të ndodh në autostradë kjo. Faktori njeri është dominant që po ndikon në rritjen e numrit të aksidenteve. Kushtet atmosferike dhe shpejtësia e papërshtatshme janë elemente shtesë që ndikojnë negativisht”, u shpreh ai



Read it all at Gazeta e Prizrenit