Chelsea po përgatit një ofertë për Granit Xhakën, me Xabi Alonson që i ka kërkuar pronarëve të klubit angles që të finalizojnë marrëveshjen për mesfushorin e Sunderlandit.
Sipas gazetarit gjerman Florian Plettenberg, palët mes lojtarit dhe Chelseat kanë arritur marrëveshje personale, ndërsa tani mbetet që të gjendet akordi mes dy klubeve për finalizimin e transferimit.
Alonso, i cili pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e Chelseat më 1 korrik, ka punuar më herët me Xhakën te Bayer Leverkusen, ku së bashku kanë fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë në sezonin 2023/24, si dhe kanë arritur në finalen e Ligës së Evropës në të njëjtin edicion.
Granit Xhaka u transferua te Sunderland nga Bayer Leverkuseni në verën e vitit 2025 për një shumë rreth 20 milionë euro dhe menjëherë u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
33-vjeçari, i cili aktualisht është i angazhuar me Zvicrën në Kupën e Botës 2026, zhvilloi 32 ndeshje si titullar dhe dy si zëvendësues në Premier League sezonin e fundit, duke shënuar një gol dhe regjistruar gjashtë asistime.
Mesfushori ka kontratë me Sunderlandin deri në vitin 2028, por Chelsea synon ta transferojë gjatë këtij afati kalimtar veror.