IHK parasheh të hënën mot me temperatura ekstreme

- Gazeta e Prizrenit

IHK parasheh të hënën mot me temperatura ekstreme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se java do të nis me temperatura tejet të larta. Të hënën, maksimalja pritet të jetë deri në 38 gradë Celsius.

Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë intervalit 10:00–17:00, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura.

Gjatë mesit të javës priten masa ajrore më të freskëta. Megjithatë ky ndryshim parashihet të sjellë paqëndrueshmëri atmosferike dhe reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh.

Të hënën pritet të jetë dita më e nxehtë e javës. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 15-18 gradë Celisus ndërsa maksimalja nga 32 deri në 38 gradë Celsius. Moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pjesërishme.

Ndërkohë të martën parashihet mot i vranët me intervale me diell. Gjatë pjesës së dytë pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu. Temperaturat minimale do të jenë 15–18 gradë, ndërsa maksimalet 32–35 gradë Celsius.

E mërkura pritet të jetë me mot të ndryshueshëm e jostabil. Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e breshrit dhe erërave të përkohshme më të fuqishme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 34 gradë Celsius.



Read it all at Gazeta e Prizrenit