Publikoi video me përmbajtje që nxit urrejtje ndaj Kosovës, Prokuroria Speciale nis hetimet ndaj shtetasit serb

- Gazeta e Prizrenit

Publikoi video me përmbajtje që nxit urrejtje ndaj Kosovës, Prokuroria Speciale nis hetimet ndaj shtetasit serb

Një shtetas serb është nën hetim nga autoritetet e Kosovës, pasi dyshohet se gjatë manifestimit të 28 qershorit në Gazimestan ka publikuar materiale me përmbajtje që nxisin urrejtje dhe përçarje, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Vuk Marinovic rreth 27 vjeç, ndaj të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, i dyshuari gjatë manifestimit në Gazimestan dyshohet se ka realizuar dhe publikuar një video me përmbajtje nxitëse të urrejtjes ndaj qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës.

Pas pranimit dhe analizimit të informacionit, si dhe konsultimit me Prokurorinë Speciale, është iniciuar procedurë penale, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas identifikimit dhe verifikimit të të dyshuarit, është konstatuar se ai kishte dalë nga Kosova më 28 qershor përmes Pikës Kufitare në Jarinjë.

Hetimet për rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Gazeta e Prizrenit