Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në Shtime, ku një grua 46-vjeçare ka humbur jetën, pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i një ndërtese, raporton Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku e kanë gjetur të lënduar 46-vjeçaren. Ekipi i Emergjencës së Shtimes e ka transportuar fillimisht për trajtim mjekësor në QKMF-Shtime, por rreth orës 19:20 Policia është njoftuar se ajo kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori i shtetit, hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se viktima ka rënë aksidentalisht së bashku me shtyllat metalike (gilinderat). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.