Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka nominuar kandidatin Zejnullah Gashi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Gashi, i vlerësuar me më së shumti pikë nga procesi i intervistimit të kandidatëve, mori pesë vota të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në një mbledhje të zhvilluar të hënën.
Një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës votoi për kandidatin Rafet Halimi, ndërsa anëtari Milot Krasniqi abstenoi nga procesi i votimit, raporton Paparaci.
Në përfundimin e mbledhjes, Arian Gashi, kryesues i KPK-së, tha se propozimi i Zejnullah Gashit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit i dërgohet u.d. të presidentes Albulena Haxhiu për dekretim.
“Konstatoi se KPK, pas votimit të fshehtë, me pesë vota për – nominon z. Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Shtetit”, tha Gashi.
Në procesin e intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, të zhvilluar më 1 korrik nga Paneli Vlerësues, Zejnullah Gashi kishte rezultuar kandidati më i suksesshëm me 91.6 pikë.
Kandidatët e tjerë: Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.
Zejnullah Gashi aktualisht ushtron pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Më parë, ai ka mbajtur funksionet e prokurorit dhe zëvendëskryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren. /Paparaci.