Ngritet aktakuzë ndaj një gardiani dhe dy të tjerëve

- Gazeta e Prizrenit

Ngritet aktakuzë ndaj një gardiani dhe dy të tjerëve

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të cilët dyshohen për përfshirje në një rast të tentativës për futjen e substancave narkotike në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Sipas aktakuzës, njëri nga të pandehurit, zyrtar korrektues në këtë institucion, dyshohet se kishte fshehur në trup rreth 85.61 gram marihuanë me qëllim që ta fuste brenda burgut dhe t’ia dorëzonte një të burgosuri. Droga u zbulua gjatë një kontrolli të kryer nga kolegët e tij, pas pranimit të informatave operative.

Prokuroria pretendon se skema ishte organizuar nga një i burgosur, i cili dyshohet se kishte koordinuar futjen e narkotikëve dhe kishte nxitur të pandehurit e tjerë të merrnin pjesë në këtë veprim.

Ndërkohë, një person tjetër akuzohet se kishte siguruar marihuanën dhe i kishte ofruar 1 mijë euro zyrtarit korrektues për të mundësuar futjen e saj në institucionin korrektues.

Dy nga të pandehurit ngarkohen me veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, ndërsa i burgosuri akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre. Njëri prej tyre përballet edhe me akuzën për dhënie ryshfeti.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Për zyrtarin korrektues është kërkuar edhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.


Read it all at Gazeta e Prizrenit