Dorëzohen nënshkrimet për Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së

- Gazeta e Prizrenit

Dorëzohen nënshkrimet për Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së

Përplasjet brenda LDK-së kanë hyrë në një fazë të re, pasi delegatët e pakënaqur kanë ndërmarrë sot hapin e parë zyrtar.

Delegatët që kundërshtojnë drejtimin e partisë kanë dorëzuar sot te Sekretari i Përgjithshëm nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së. Qëllimi i këtij kuvendi është shqyrtimi i shkarkimit të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë.

Pas dorëzimit të nënshkrimeve, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, deklaroi se numri i tyre përmbush kriteret e përcaktuara në Statutin e partisë.

“Unë e kam deklaruar numrin e nënshkrimeve dhe është sipas normale statutare të LDK-së”, u shpreh ai.

Kuvendi i LDK-së përbëhet nga 355 delegatë, ndërsa për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme kërkohen të paktën 118 nënshkrime.

Sipas Statutit të LDK-së, pas pranimit të kërkesës me nënshkrimet përkatëse, Kryesia e partisë obligohet ta thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm brenda afatit prej 60 ditësh.


Pakënaqësitë ndaj rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit janë shfaqur menjëherë pas certifikimit të rezultateve. Një numër i konsiderueshëm zyrtarësh dhe degësh të LDK-së kanë kërkuar që përgjegjësia politike të merret nga kryetari Lumir Abdixhiku, duke i bërë thirrje të japë dorëheqje dhe të hapë rrugën për zgjedhje të brendshme.

Pavarësisht këtyre kërkesave, Abdixhiku ka bërë të qartë se nuk planifikon të largohet nga drejtimi i partisë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit