Inspektorët “pastrojnë” Prevallën nga shitjet pa leje, konfiskohen dhjetëra produkte

- Gazeta e Prizrenit

Inspektorët “pastrojnë” Prevallën nga shitjet pa leje, konfiskohen dhjetëra produkte

Një aksion i koordinuar është zhvilluar sot në zonën turistike të Prevallës, ku autoritetet kanë ndërmarrë masa ndaj shitjes së produkteve pa lejet përkatëse përgjatë rrugës.

Sipas burimeve të Sinjalit, në operacion kanë marrë pjesë mbi 10 inspektorë, zyrtarë të Policisë së Kosovës, si dhe inspektorë nga ministria.

Gjatë kontrolleve janë larguar shitësit ambulantë që ushtronin veprimtarinë pa autorizimet e nevojshme, ndërsa janë konfiskuar produkte të ndryshme që tregtoheshin në mënyrë të paligjshme.

Burimet bëjnë të ditur se në mesin e produkteve të konfiskuara janë lëngje, pemë, shtalba, mjaltë, djathë, flija dhe artikuj të tjerë ushqimorë që shiteshin përgjatë rrugës në Prevallë.

Aksioni, sipas të njëjtave burime, është ndërmarrë me qëllim të vendosjes së rendit në zonën turistike, garantimit të respektimit të ligjit dhe mbrojtjes së konsumatorëve.

Deri më tani nuk ka informacion zyrtar nëse ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar masa ndëshkuese apo janë iniciuar procedura të tjera./ G. Sinjali



Read it all at Gazeta e Prizrenit