Media italiane: Ushtari italian u sëmur me kancer pas misionit në Gjakovë, merr 300 mijë euro dëmshpërblim nga gjykata

- Gazeta e Prizrenit

Media italiane: Ushtari italian u sëmur me kancer pas misionit në Gjakovë, merr 300 mijë euro dëmshpërblim nga gjykata
Një ish-oficer i Forcave Ajrore të Italisë është shpallur zyrtarisht “Viktimë e Detyrës”, pasi gjykata italiane ka vlerësuar se kanceri nga i cili u prek lidhet me shërbimin e tij gjatë misionit paqeruajtës në Kosovë, raporton romatoday.it
Gjykata e Velletrit, me një vendim që është bërë i formës së prerë më 15 korrik, ka konstatuar se karcinoma në stomak e Nunzio Santuccit, ish-nënkolonel 75-vjeçar i Aeronautikës Italiane, është pasojë e kushteve të veçanta mjedisore dhe operative me të cilat ai u përball gjatë misioneve në Ballkan.
   
Santucci shërbeu për më shumë se 30 vjet në Forcat Ajrore Italiane, duke mbajtur poste të ndryshme operative dhe drejtuese. Gjatë misionit ndërkombëtar Joint Guardian në Kosovë, ai ishte komandant i Grupit të Mbrojtjes në aeroportin e Gjakovës, ku kishte për detyrë garantimin e sigurisë së kontingjentit italian.
Sipas vendimit të gjykatës, zonat ku ai shërbeu ishin të kontaminuara me azbest, nanopjesëza të metaleve të rënda dhe mbetje municionesh që përmbanin uranium të varfëruar.
Në vitin 2013, Santucci u diagnostikua me kancer në stomak, çka ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një pjese të stomakut dhe më pas edhe dy ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale për shkak të komplikimeve të sëmundjes. Edhe sot ai vazhdon të përballet me pasojat e saj.
Gjatë procesit gjyqësor, dëshmitarët përshkruan kushtet në aeroportin e Gjakovës pas bombardimeve të vitit 1999, duke folur për automjete të shkatërruara ushtarake, mbetje lufte, pluhur dhe terrene të dëmtuara nga shpërthimet. Sipas dëshmive, edhe uji i përdorur nga kontingjenti për higjienë dhe gatim vinte nga burime të konsideruara të kontaminuara.
Ekspertiza teknike e paraqitur në gjykatë e cilësoi mjedisin ku shërbenin ushtarët si “jashtëzakonisht të rëndë” krahasuar me kushtet e zakonshme të shërbimit, duke theksuar se Kosova ishte e ndotur në mënyrë të konsiderueshme nga nanopjesëza të krijuara nga shpërthimet e municioneve që përmbanin uranium të varfëruar.
Gjykata i njohu Santuccit statusin “Viktimë e Detyrës”, me një shkallë invaliditeti të përhershëm prej 65 për qind. Ai do të përfitojë rreth 300 mijë euro në formën e dëmshpërblimit, pagesave të prapambetura dhe pensionit të përjetshëm, si edhe do të përfshihet në listën kombëtare të Viktimave të Detyrës në Itali.
Vendimi konsiderohet i rëndësishëm edhe nga pikëpamja juridike, pasi konfirmon se për raste të tilla nuk kërkohet një provë absolute shkencore për lidhjen mes ekspozimit dhe sëmundjes. Mjafton të provohet se ushtaraku ka shërbyer në zona me rrezik të lartë dhe në kushte të veçanta mjedisore, ndërsa barra për të provuar të kundërtën i kalon administratës.
Avokati Ezio Bonanni, përfaqësues ligjor i ish-oficerit, deklaroi se vendimi “i kthen dinjitetin një ushtaraku që ia kushtoi mbi 30 vjet të jetës shtetit dhe krijon një precedent të rëndësishëm për të gjithë ushtarakët që kanë shërbyer në Ballkan dhe ende presin drejtësi”.
P. S  Foto në ballinë nga arkivi


Read it all at Gazeta e Prizrenit