Stuhia lë pas miliona euro dëme, komunat kërkojnë mbështetje urgjente nga Qeveria

- Gazeta e Prizrenit

Stuhia lë pas miliona euro dëme, komunat kërkojnë mbështetje urgjente nga Qeveria

Stuhia e fuqishme që përfshiu disa zona të Kosovës ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, shkolla dhe sektorin e bujqësisë, duke bërë që komunat të kërkojnë ndihmë urgjente nga institucionet qendrore.

Në Suharekë, dëmet e shkaktuara nga moti i keq pritet të kalojnë vlerën e 1 milion eurove. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se janë krijuar komisione të veçanta për vlerësimin e dëmeve në arsim, bujqësi dhe shëndetësi publike.

Sipas tij, vetëm në institucionet arsimore dëmet llogariten rreth 300 mijë euro, ndërsa një nga prioritetet kryesore është riparimi i kulmeve të shkollave para fillimit të vitit të ri shkollor.

Muharremaj ka theksuar se komuna nuk ka mjete të mjaftueshme për përballimin e këtyre dëmeve dhe do të kërkojë ndihmë nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës.

Edhe Malisheva ka raportuar dëme të konsiderueshme nga reshjet dhe stuhitë. Kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se shtatë shkolla janë dëmtuar, përfshirë çatitë dhe fasadat, ndërsa probleme janë shkaktuar edhe në ura, kanalizime dhe në pronat e fermerëve.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndër komunat më të prekura nga stuhia janë edhe Vitia, Mamusha, Istogu dhe Rahoveci.

Drejtuesit lokalë kanë kërkuar reagim të shpejtë institucional për sanimin e pasojave dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara.



Read it all at Gazeta e Prizrenit