Në 25-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, komandantit legjendar të tri luftërave çlirimtare shqiptare, Tahir Sinani, në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë u mbajtën homazhe përkujtimore në nderim të veprës, sakrificës dhe idealit të tij kombëtar, si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues të institucioneve, veteranë të luftës dhe qytetarë bënë homazhe pranë varrit të heroit, duke nderuar figurën e Tahir Sinanit dhe duke kujtuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në luftërat çlirimtare shqiptare, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Me këtë rast, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe zyrtarë lokalë vlerësuan lart figurën dhe kontributin e Tahir Sinanit, duke e cilësuar atë një nga personalitetet më të rëndësishme të luftës për lirinë e shqiptarëve.
Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili theksoi se sakrifica dhe vepra e Tahir Sinanit mbeten frymëzim për brezat e rinj dhe një testament i përhershëm i luftës për liri.
Pas homazheve në Landovicë, nderime u bënë edhe pranë shtatores së Heroit të Kombit, Tahir Sinani, në Parkun e Prizrenit, ku të pranishmit vendosën kurora me lule dhe përkujtuan me respekt jetën dhe veprën e tij. / Gazeta e Prizrenit /