Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka njoftuar se për shkak të mungesës së hapësirave të lira për varrime të reja në Varrezat e Qytetit të Prizrenit dhe në Varrezat e lagjes Arbana, do të zhvendosen në lokacionin e ri, përcjell Gazeta e Prizrenit.
“Ju njoftojmë se duke filluar nga dita e hënë, më 10 gusht 2026, të gjitha varrimet e reja do të organizohen dhe realizohen në Varrezat e Reja në Landovicë.
Ky ndryshim është bërë i domosdoshëm për shkak të gjendjes së krijuar në terren dhe nevojës për të siguruar një proces të rregullt, të sigurt dhe dinjitoz të varrimit.
Familjet e të ndjerëve, bashkësitë fetare dhe operatorët e shërbimeve funerale udhëzohen që, para organizimit të ceremonive të varrimit, të koordinohen me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe KRM “Ekoregjioni” Sh.A. – Prizren.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve gjatë kalimit të shërbimeve të varrimit në lokacionin e ri. / Gazeta e Prizrenit