Gjobat “fantazmë” të shqiptuara në Shqipëri, kosovarët i zbulojnë vetëm në kufi ( VIDEO )

- Gazeta e Prizrenit

Gjobat “fantazmë” të shqiptuara në Shqipëri, kosovarët i zbulojnë vetëm në kufi ( VIDEO )

Shumë shtetas të Kosovës po mësojnë për gjobat e trafikut në Shqipëri vetëm kur po rikthehen në pikat kufitare, ku në disa raste detyrohen të paguajnë edhe kamatëvonesë ose nuk lejohen të hyjnë në territor pa e shlyer detyrimin.

Një prej tyre është Ariot Myrtaj nga Prishtina, i cili u njoftua për një gjobë dy muaj pasi i ishte shqiptuar nga kamerat inteligjente. Ai pagoi gati 500 euro, pasi shumës fillestare iu shtua kamata, ndonëse thotë se nuk kishte marrë asnjë njoftim.

Edhe qytetarë të tjerë kanë treguar për Kiks Kosovën se janë njoftuar për gjobat vetëm në kufi, pas disa muajsh apo edhe një viti, duke humbur mundësinë për pagesën e përgjysmuar të gjobës.

Sipas Policisë së Shtetit, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë shqiptuar 13.526 gjoba për shtetasit e Kosovës. Policia shqiptare thotë se shoferët njoftohen në pikat kufitare dhe, nëse nuk e paguajnë gjobën, nuk mund të hyjnë sërish në Shqipëri me të njëjtin automjet.

Avokatët Bashkim Methasani dhe Petrit Lladrovci vlerësojnë se kamata nuk mund të zbatohet pa u njoftuar qytetari për gjobën, ndërsa afatet për pagesë dhe ankim fillojnë vetëm nga momenti i njoftimit.

Ata e konsiderojnë të kundërligjshme edhe praktikën e refuzimit të hyrjes në Shqipëri vetëm për shkak të mospagesës së gjobës në kufi.

Ndiqni më poshtë kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:

Ndiqeni emisionin e plotë:



Read it all at Gazeta e Prizrenit