Katër persona kanë humbur jetën gjatë kësaj jave në aksidente trafiku në Kosovë. Fundjava ishte veçanërisht tragjike, me dy viktima të regjistruara vetëm të dielën.
Java nisi me raste të rënda aksidentesh nëpër rrugët e Kosovës, ndërsa bilanci tragjik u rëndua gjatë ditëve të fundit.
Të shtunën, një person humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku në Prishtinë, në rrugën “Shkupi”, ndërsa një tjetër person u lëndua.
Të dielën, rrugët e Kosovës u përgjakën nga dy raste tragjike.
Në Gjilan, një 28-vjeçar ndërroi jetë pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra në një aksident. Rasti kishte ndodhur më herët, ndërsa viktima ishte duke u trajtuar në QKUK. Në këtë aksident, automjeti Mercedes drejtohej nga një 16-vjeçar.
Po të dielën, një person tjetër humbi jetën në një aksident fatal në Muhovc të Ferizajt.
Bilanci tragjik i kësaj jave vjen si një tjetër alarm për sigurinë në komunikacion dhe nevojën për kujdes maksimal nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik./Sinjali