Policia e Kosovës, konkretisht stacionet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, gjatë kësaj jave kanë vazhduar me shqiptime gjobash ndaj kundërvajtësve të ndryshëm, të cilët janë raportuar nga qytetarët përmes aplikacionit “Lajmëro Policin” apo kanaleve të tjera të komunikimit.
Raportimet për kundërvajtje në trafik
janë të shumta dhe çdo rast trajtohet me seriozitet. Nëse nga raportimi, të dhënat e ofruara dhe materialet e bashkangjitura (fotografi apo video) vërtetohet shkelja, kundërvajtësi informohet përmes telefonit dhe gjoba i shqiptohet menjëherë. Në rastin konkret, kundërvajtësi nuk ka respektuar dritën e kuqe të semaforit, kundërvajtje e cila dokumentohet me video nga qytetari.
Policia fton të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut në rrugë që të kemi siguri në trafik.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të përbashkët në parandalimin e kundërvajtjeve dhe identifikimin e shkelësve të ligjit.