Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbetet në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Aktgjykimi përfundimtar në këtë rast pritet të shpallet më 16 shtator 2026 në Hagë.
Në vendimin e datës 10 gusht, Trupi Gjykues ka refuzuar edhe një herë kërkesën për lirimin e Thaçit me kusht, duke i vazhduar paraburgimin për të 27-tën herë.
Sipas vendimit, nuk ka informacion të mjaftueshëm për të konstatuar se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë në rast se do të lirohej. Megjithatë, Trupi Gjykues ka vlerësuar se ekziston rrezik i mjaftueshëm që ai të mund të pengojë zhvillimin e procedurave gjyqësore apo të ndikojë te dëshmitarët.
“Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar palët që të mos dorëzojnë më parashtresa për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit, i cili ishte planifikuar të mbahej më 9 tetor 2026.
Gjykata ka vlerësuar se një shqyrtim i tillë nuk është i nevojshëm në këtë fazë, pasi aktgjykimi në rastin kryesor është caktuar të shpallet më 16 shtator.
Ndërkaq, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe në çështjen tjetër ku akuzohet për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara. Për këtë rast, një vendim i ri pritet të merret në shtator, ndërsa palët janë urdhëruar që deri më 14 shtator të dorëzojnë komentet lidhur me paraburgimin.