Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime nga shtetet e huaja drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe juridik.
Sipas Policisë, më 12 gusht 2026, nga Gjermania është ekstraduar shtetasi kosovar M.T., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë. Ai dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 13 gusht 2026, nga Hungaria është ekstraduar në Kosovë shtetasi i Serbisë I.S., i cili gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për të njëjtën vepër penale.
Edhe I.S. iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Prishtinë për procedurat e mëtejshme.
Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.
Lexo edhe: