Gjykata vendosi për mësuesin Fehim Sali, të dyshuarin për spiunazh

- Gazeta e Prizrenit

Gjykata vendosi për mësuesin Fehim Sali, të dyshuarin për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të premten masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh.

Gjykata ka vlerësuar se, në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale për të cilën po zhvillohen hetimet, si dhe se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Në vlerësimin e Gjykatës janë marrë parasysh rrethanat që lidhen me rrezikun e ikjes, rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe në prova, si dhe rrezikun e përsëritjes ose vazhdimit të veprës penale. Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se, në këtë fazë të procedurës, masat më të buta nuk janë të mjaftueshme për neutralizimin e këtyre rreziqeve dhe për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Fehim Sali dyshohet për spiunazh, ndërsa para Prokurorisë Speciale ka pranuar se ishte rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë, BIA, dhe se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Gazeta e Prizrenit