Një shtetas i Kosovës është arrestuar në Greqi në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të narkotikëve, ku janë sekuestruar 324 kilogramë kanabis.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi është rezultat i një hetimi disamujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Operacioni është zhvilluar në Selanik, ku autoritetet greke kanë arrestuar dy persona të dyshuar për trafikim me narkotikë.
Në mesin e të arrestuarve është edhe shtetasi i Kosovës me inicialet A.G.
Gjatë operacionit, Policia greke ka gjetur dhe sekuestruar rreth 324 kilogramë substancë narkotike të llojit kanabis.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.