Haxhiu në përkujtim të Rrustë Kabashit: 116 vjet nga ekzekutimi i tij në Prizren

- Gazeta e Prizrenit

Haxhiu në përkujtim të Rrustë Kabashit: 116 vjet nga ekzekutimi i tij në Prizren

Në Prizren, sot u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Rrustë Kabashit, në 116-vjetorin e ekzekutimit të tij në Prizren, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin dhe me përpjekjet e shqiptarëve për organizim e qëndresë ndaj sundimit osman, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ajo theksoi se Kabashi ia kushtoi më shumë se tri dekada të jetës përpjekjes për liri dhe se më 18 gusht 1910 u dënua me varje në Prizren.

Sipas Haxhiut, Rrustë Kabashi ishte ndër figurat që vazhduan veprimtarinë atdhetare edhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit. Ai mori pjesë në kuvende dhe organizoi qëndresën në Zojz, Podrimë dhe rrethinë, ndërsa për shkak të veprimtarisë së tij autoritetet osmane ndërmorën masa ndëshkuese edhe ndaj familjes dhe pasurisë së tij.

“Kullat e krerëve të Kabashit u dogjën, pasuria iu konfiskua, ndërsa familjarët u dërguan me forcë në Prizren, si mjet presioni për t’i detyruar krerët të dorëzoheshin”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se Rrustë Kabashi nuk u tërhoq nga qëndresa dhe se, pas ardhjes së xhonturqve në pushtet më 1908, ai përsëri u rreshtua kundër politikave represive dhe ndërhyrjeve ushtarake në Kosovë.

Pas kryengritjes së vitit 1910, ai u nxor para gjykatës ushtarake në Prizren dhe u dënua me vdekje.

Haxhiu tha se ekzekutimi i tij nuk e shoi kujtimin për të, pasi emri i Rrustë Kabashit mbeti në këngë dhe u përcoll ndër breza në Prizren e Kabash si simbol i qëndresës.

“Njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, ne e kujtojmë Rrustë Kabashin nga një Kosovë e lirë dhe e pavarur”, tha Haxhiu, duke vlerësuar se përpjekja e tij për liri është pjesë e historisë së gjatë të sakrificave që çuan drejt shtetit të Kosovës.

Ajo theksoi se është domethënëse që pikërisht në Prizrenin ku Rrustë Kabashi u dënua dhe u var, sot ai përkujtohet dhe nderohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj. /GeP



Read it all at Gazeta e Prizrenit